Rastësisht, këto ditë pashë një video ku dikush shprehet se si disa njerëzve nuk ju shërben të flasin për dhimbjen apo të qëndrojnë e thellohen tek ajo. Po ashtu ky person thoshte se nuk është vërtetuar shkencërisht që të folurit ndihmon. Kjo e fundit mjafton për të hedhur poshtë çdo gjë që ajo tha më parë. Por në fakt, gjithsesi, nuk mund të mos jem dakort me të sa i takon mënyrës që një përson mund të përdorë për të patur një jetë më të lumtur apo veçantisë së përsonalitetit të njerëzve dhe llojit të dhimbjeve që secili prej nesh ka.
Çdo formë terapie, sa konvencionale dhe kreative ka vendin e vet dhe secili mund t’i drejtohet asaj që i bën punë. Kur bëhet fjalë për njeriun, traumën, dhimbjen, mendoj se profesionistët duhet të qëndojnë mendjehapur dhe pranues pasi nuk ka një formë perfekte terapie, se ajo për të cilën një person ka nevojë apo zgjedh është individuale. Dikush që thotë mos u zhyt në dhimbje po bën të njëjtën gjë që kërkon të shmangë, por në kah të kundërt.
Pavarsisht se ka forma nga më të ndryshmet për ta procesuar dhimbjen, edhe nga ato të cilat nuk kërkojnë të flasësh për të, mendoj se, në fund sërish, ajo, dhimbja, do të shfaqet dhe do kërkojë më imponim që ti ta shohësh në sy. Dhimbja ta imponon respektin ndaj saj. Nëse ndodh që të mos i jepet ajo që ajo kërkon, ajo s’do të t’i ndjajë sytë.
Grotstein shkruan këtë të vërtetë të dhimbshme, për dhimbjen e madhe që disa njerëz ndjejnë.
“Të qenit “të bllokuar në labirint” është një rrezik potencial për të gjithë ne, por duket se përcakton gjithashtu një grup pacientësh – “orphans of the Real”- të karakterizuar nga mungesa e vitalitetit ose të gjallërisë, me preokupimin rreth sigurisë para kënaqësisë dhe aventurës, tërheqjen dhe tjetërsimin, preokupimin me realitetin e brendshëm dhe një ndjenjë e theksuar “vetëdijeje”, e cila, në të vërtetë, karakterizohet nga ndjenja e shpërberje dhe depersonalizimit, nëse jo një derealizim i plotë. Këta pacientë duket se kanë pësuar një vdekje shpirtërore, shpesh të pavëzhguar dhe të pa kaluar në një proces zie.
Vetë-braktisja mund të ketë qenë pasojë e traumës; pacientët e pafat ndjeheshin të mbingarkuar nga trauma, e kanë personifikuar atë, janë identifikuar me agresorin, janë ndjerë të depërtuar dhe të “thyer” si vete, kanë humbur tek objekti dhe kanë humbur për veten e tyre ndërsa “zhdukeshin” në mosnjohje.”
Kjo që thotë Grotstain mbase na ndihmon të kuptojmë keqkuptimin që shumë njerëz kanë, përfshirë dhe atë të videos që pashë. Nuk është të folurit për dhimbjen ajo që të mban të mbyllur në dhimbje dhe që mund të të bëjë më keq, por të folurit është një metodë për të dalë nga ajo.
Dhimbja është e nevojshme të flitet pasi ajo (person që e ka përjetuar) ka nevojë të njihet. Flitet pasi duhen mbledhur copëzat e shpërndara, të shkaktuara nga trondija, dhe mbi të gjitha duhet ngritur, transhenduar në një përvojë kuptimplotë. Sigurisht që asnjëri nga ne nuk e pranon të ulet në masën e asaj që i ka ndodhur, secili prej nesh është përtej më i lartë.
Ja pse është e rëndëshime që të flasësh për dhimbjen, ajo ka nevojë për një dëshmitar si fillim, respekt, dhe përulje. Duhet respektuar vdekja brenda nesh, në mënyrë që të vazhdojmë të jetojmë. Kështu, ajo që ka vdekur do të mund të lëshojë nga hapësira e saj që të mbijë shumçka e re.