Pikturë e Safwan Dahoul

 

“Nuk qe vetëm të mësuemit e synit me të, por ma tepër nga të mrekulluemit e gjindjes para maskës: çdo njeri që hynte në shtëpinë e Folkloristit, mbeste gojë haptë me të parin shikim dhe i dukej si të kishte zbulue në të shprehjen e habisë shkalluese. Maska ngjallte në çdo vrojtues fshehtësinë e zemrës së mbyllun të tij dhe e shtrëngonte të përnjësohej me të.”

Me këtë gjuhë Martin Camaj përshkruan reflektimin e pesonazhit të Rrathë Folkloristit (ndryshe Bacit). Kur flitet për maskën nuk mund të mos mendosh për analizën semantike të fjalës si në Greqishten e lashtë, persopon, duke shënuar veten e vertetë apo dallimin e të jashtmes dhe të brendshmes, ashtu dhe në Latinisht, persona, ku përseri bëhet fjalë për një dallim rreth identitetit vetjak. Pra maska është simbolika më përfaqësuese e një vetje psikike disa-përmasore.

Në hyrje të Rrathë tregohet se si disa punonjes të Institutit etnografik shkojnë në shtëpinë e Bacit për të marrë objektet e mbledhura dhe të trashëguara. Ai duhet t’i dorëzojë Muzeumit të qytetit zotërimet e tij me vlerë. Nga të gjitha objektet ai kërkon të mbajë veç një maskë. Këtë maskë ai e gjeti në një gjendje primitive të cilën e “sendërtoi” në një formë të re, duke fshehur kështu prejardhjen e saj të vërtetë dhe natyrën e këtij falsifikimi (siç e quan ai). Por, si çdo objekt tjetër me vlerë historike dhe identitare që ai zotëron, duhet t’ia “dhurojë” atë Muzeumit. Kështu, atje ajo do të jetë një Maskë rituale e qindvjetës.

Gjatë përshkrimit shikohet se si Folkloristi vepron mbi maskën në fomën e krijimtarise dhe të artit duke e ndryshuar dukjen e saj fillestare. E ajo çka i paraqitet vetes së tij, po aq dhe të tjerëve që e shohim, është një objekt i ndryshuar. Ajo që shihet është një maskë mbi maskën, një maskë mbi qënien parësore të maskës.

Ky lloj transformimi simbolik është i ngjashëm me formësimin që i ndodh botës tonë të brendshme dhe më pas shfaqjen e saj së jashtëmi. Pjesët tona më të hershme arkaike pësojnë një ndryshim domethënës nga ngjarjet dhe mardheniet tona të para të rëndësishme. Transformimi dhe rrjedhja e vazhdueshme zë vend pas çdo ndërveprimi.

Për të ilustruar këtë peisazh po marr një përfaqesim të hershëm të tij, lidhjen nënë-foshnjë: Vështrimi i fytyrës se nënës dhe shumëllojshmëria e shprehjeve të saj emocionale bën të mundur që fëmija të ketë një reagim emocional për veten. Fytyra e nënës është pasqyra e parë e fëmijës. Ky lloj pasqyrimi është thelbësor për rritjen e vetes së foshnjës. Nëna është njëlloj ene për projeksionet e foshnjës. Ajo gjithashtu përjeton si përvojën e foshnjës atë që foshnja shikon në fytyrën e saj. Njeriu si fëmijë e më vonë si i rritur gjendet në një lloj ndërveprimi dyadik. Ndodhin rrjedhje energjish, shkembehen përmbajtje emocionale dhe mendimore. Dikush derdh mbi tjetrin e tjetri mban. (Ndaj, kur mendojmë zbrazetinë ose boshësinë na krijohet një gjendje jashtë mase e frikshme).

Në Rrathë kur njerëzit vështrojnë maskën përjetojnë një lloj rrjedhje të tillë projektive. Maska e paraqitur në kohën e saj (vetjake, shoqërore dhe politike) shkakton një ndjenjë të veçantë tek ata që e vështrojnë. Nga vetë përshkrimi i maskës ajo duket të paraqesë një emocion tepër shprehës, një habi marramendëse që pasqyrohet po ashtu nga një emocion i fuqishëm mrekullimi. Kështu, në kohën që është vendosur narrativa mund të flitet për gjendjen e projektuar dhe brendësuar prej ligjeratës politiko-shoqërore kundrejt masës. Tregues i “mirëqenies”, “parajsës” dhe “mrekullisë” së krijuar politikisht. Teksa gjindja shikon maskën nuk ka mendim, veç një gjendje mahnitje dhe e pakuptueshme. Maska këtu është një përfaqësim i pikës ku shkrihet vetja dhe tjetri.

Të kthehemi te Folkloristi. Ai gjendet në pozitën e heqies dorë nga objektet e trashëguar dhe të mbledhura ndër vite. Domethënia personale e këtyre objekteve ndërthuret me domethënien e tyre si objekte identitare kombëtare. Në fillim të librit përshkruhet qartë dorëzimi dhe pashpresshmëria e Folkloristit kundrejt pushtetit në fuqi dhe rregullave të tyre. Ai duhet të heqi dorë nga dëshirat vetjake dhe duhet t’iu dorëzohet atyre “kolektive”. Po aty ndjehet lufta e fshehtë e përfaqësuar nga kërkesa naive për të mbajtur maskën. Përfaqësuese kjo e dëshirës për liri por gjithashtu një lloj marrje mbrapsht e vetes.

Reflektimi e çon atë në përfytyrimin e çastit të ritakimit me masken e ekspozuar në muze. “…Ajo (maska) do të më syzojë me shprehjen e shtangimit të përhershëm sikur të më shihte për të parën herë, mue autorin e saj.” Ai arrin të paraprijë që ndarja me maskes do të çonte në një ndjesi tëhuajsimi. Ky objekt i krijuar prej tij, i cili dikur ishte pjesë e tij, nuk do të mund ta njihte më.

Kjo ndjesi momentale e tij ndodh bashkarisht me kuriozitetin dhe relfektimin mbi botën e brendshme dhe atë të jashtme. Sikur fton dhe lexuesin të bëjmë të njëjtën gjë. Dukuritë e brendshme dhe të jashtme nuk janë të ndara. Ato janë vazhdimisht dhe pambarimisht të ndikuara nga njëra-tjetra. Në qoftë se unë shikoj një vepër arti do t’i bashkangjis asaj gjendjen time emocionale dhe kuptimore. Kjo ndodh edhe në lidhjen time me njerëzit. Unë do të shoh te tjetri gjëra që në fakt mund të ketë më shumë lidhje me mua se sa me ata në vetvete.

Peter Doig

Në psikanalizë flitet shpesh për një mekanizëm të brendshëm psikik që emerohet projeksion. Flitet për atë çka ndodh nëpërmjet fantazive të pandërgjegjshme, ku pjesë të vetes iu mëvishen tjetrit. Është vënë re se ndodh një shkëmbim i rëndësishem emocional, ku gjendje të ndryshme projektohen jashtë vetes dhe “derdhen” drejt një njeriu apo objekti specifik (siç ndodh me maskën).

Është parë se nuk është e lehtë që të pranojmë përjetime dhe ndjenja të caktuara. Pjesë të vetes më mirë të mos njihen ose pranohen si të tilla. Ajo çka përfaqëson realiteti është në kundërshtim me veten tonë false. Mes Bacit dhe Maskës qëndron njëlloj falsiteti ashtu siç qëndron mes nesh dhe asaj që do të donim të ishim. Në vetvete maska si objekt nuk është aq i rëndësishëm për Bacin me shumë se sa çfarë ajo qërfaqëson për të. Hegeli do të thoshte se njeriut nuk ka nevojë për objektin por atij i duhet dëshira për objektin.

Deri këtu na bëhen disa gjëra bashkë. Kemi:

1- Baci, maska dhe marrëdhënia mes tyre.
2- Akti i dorëzimit të objekteve personale drejt të tjerëve domethënës.
3- Konflikti i lindur.
4- Marrja mbrapsh e maskës.

Po i përshtas këto pika drejt lexuesit si vete. Do të kishim:

1- Unë, pjesë të vetes (aftësitë, ndjenjat e fajit) dhe marrëdhënia ndërmjet.
2- Dorëzimi (projektimi) i pjesëve të vetes drejt partnerit\es (idealizim i tij\saj, fajësimi i tij\saj).
3- Konflikti që lind.
4- Pranimi i aftësive dhe ndjenjave të fajit si pjesë të vetes.

Që të preket sadopak realiteti do të duhet të kalojmë mbi trupin e konfliktit. Vetëm duke kuptuar realitetin e ndjenjave, konflikteve tona të brendshme do të mund të kishim një marrëdhënie më të mirë me veten dhe me të tjerët.

Psikoanalisti Stark në rrafshin klinik përshkruan: “…ato pacientë që nuk e kanë aftësinë për tu ulur me konfliktet e tyre të brendshme do të jenë në një gjendje të përhershme të hedhjes tutje të pjesëve të rëndësishme të vetes së tyre, duke e lëne veten të varfëruar së brendshmi dhe duke u ndjerë të varur nga të tjerët.” Kjo bën kuptim për “rrethin” tonë të parë me veten e po ashtu edhe me “rrathët” më të gjerë kur vendosemi përballë rrafshit shoqëror dhe politik të vendit dhe kohës ku jetojmë.

Baci shfaqet si një personazhi i lirë dhe i vetëdijshëm në roman. Në dorëzimin e tij, dëshira për të mbajtur një objektin “intim” dhe të ndjerë është simbolikë e marrjes mbrapsht të vetes së tij. Simbol i shkëputjes nga tjetri, nga një pozitë ku prej tij pritet varësia psikike, shoqërore e politike. Me veprimet e tij është përfaqësimi i nevojshmërise për të reflektuar rreth dorëzimit dhe varësisë, dallimit mes realitetit dhe përfytyrimit po aq dhe nevojës për vepra sado të vogla që mund të ndërmerren për lirinë e brendshme dhe atë të jashtme.

Pin It on Pinterest