La Plea, 1952, Rafael Tufino

Tiranës, po të lëvizësh rrugëve me transport publik a ndryshe, shpesh kaplohesh nga përshtypja se e ardhmja është e shkuara por me terma të tjerë. E tashmja është veçse një pozicionim kufitar, tranzitor dhe i paqartë. Një pozicion që më ngjan sa i hershëm aq dhe përsëritës. I hershëm në kuptimin e shtysave të hershme të qënies njerëzore, qysh në fillimin e jetës, dhe përsëritës në kuptimin e përsëritjes së një traume. E ardhmja, në këtë pikë, nuk shikohet diku gjetkë, përveçse lidhur ngushtë me të dyja periudhat e tjera.

Në gjysmën e vitit të parë të jetës, shpjegon Melanie Klein, ne ndodhemi në një gjendje psikike emëruar si pozicioni depresiv. Veçori e këtij pozicioni është lindja e fantazive dhe ndjenjave urryese ndaj objektit të dashur, përkatësisht figurës së nënës. Qenia e sapolindur vendoset ndaj këtij objekti duke e ndarë atë në dy pjesë, si ideal\të dashur dhe përndjekës\të urryer. Këtu, i mituri shqetësimin kryesor ka mbijetesën e vetes por edhe lidhjen e tij me objektin.

Pas dëshirës për ta shkatërruar objektin e urryer\përndjekës lind ndjenja e fajit. Dhe nga kjo ndjenjë faji më vonë vjen shtysa për ta riparuar objektin e dëmtuar (në fantazi dhe dëshira). Pas riparimit egoja forcohet dhe zgjerohet, bota tashmë është me e pasur dhe perceptohet në terma të realitetit. Kështu formohen dy cilësi kryesore në jetën e njeriut, maturimi dhe njohja e tjetrit si dikush i ndarë nga vetja. Pra, kjo e fundit, në njëfarë mënyre, ndodh nëpërmjet përjetimit të humbjes dhe të zisë.

Kjo gjendje përsëritet vazhdimisht dhe rafinohet më vonë gjatë jetës, në lidhje me të njëjtën figurë por dhe me objektet e tjera të jetës. Mund të ndodhë në marrëdhëniet tona të afërta e intime dhe me çdo objekt a ide të rëndësishme për ne. Mund të përfytyrojmë këtu marrëdhënien me vendin dhe shoqërinë ku jetojmë e pse jo marrëdhënien më veten e tashme, ashtu si dhe me ardhmërinë tonë. Rrugëve të Tiranë, pra, të kujtohet pozicioni depresiv i këtij lloji.

Në këtë qytet sa ka dashuri po aq ka dhe shkatërrime të vazhdueshme. Por sa aktiv jemi në riparimet dhe ndjenjat e fajit? Sa maturohemi në fund? Sa vetëdijësohemi se tjetri është qenie më vete dhe jo pjesë e fantazive dhe tekave tona. Gjej me vend të bej dy pyetje, që në pamje të parë mund të duken pa vend këtu: çfarë kemi humbur ne si shoqëri dhe a e kemi vajtuar humbjen ashtu siç i takon të vajtohet? Këto janë pyetje të koklavitura për të marrë një përgjigje të tanipërtanishme por që të shpien të reflektosh rreth përsëritjeve të vazhdueshme që na tregojnë për trauma të thella.

Çdo ditë njerëzit në rrugë, institucione, kafene por dhe më ngushtë brenda mureve të shtëpive të tyre rrëfehen në një rreth vicioz shqetësimi, merakosje dhe pashpresshmërie që i kthen vazhdimisht në pikën e fillimit. Kur këto rrethe vicioze formohen, ato në shumicën e rasteve janë patologjike, po ashtu dhe riparimi në qoftë se vendoset në këtë lloj vorbulle të pafundme ndalon së qeni pozitiv. Adam Phillips teksa flet për rrethet vicioze të dukshme në sjelljen e njeriut shpjegon se riparimi i përsëritur në këto raste shpesh ndodh dhe tregon veç një mosgatishmëri për të toleruar pasojat e panjohura të veprimtarive tona, sipas tij kjo është një lloj greve ndaj të ardhmes. Është e ngjashme më këmbënguljen e neurotikut për të mbajtur simptomën. Sepse në fund të fundit çfarë do të mbesë pasi simptoma të mos jetë më?

Sot, këtu, në Tiranë, njerëzit janë të shqetësuar dhe të merakosur. Për shtetin, edukimin, burokracitë e institucioneve, korrupsionin, papunësinë, meritën e padukshme dhe të pavlerësuar, transpotin (transportit), pagat, njerëzit rrugëve dhe humorin e tyre që bashkëjeton me papastërtitë, betonin, prerjen e pemëve, “pimë një kafe”-n etj. Po vazhdoj me Phillips i cili e cilëson merakosjen si një fenomen që i bën bashkë të trija kohët:

“…merakosja, duke na lidhur me të tashmen dhe me të ardhmen e shfuqizon të shkuarën. Ajo e shënjon kohën duke enkapsuluar një sekuence. Kur merakosemi ne shohim përpara por nuk tundohemi që të shohim pas në kohë. Meraku nënkupton një të ardhme, një mënyrë të të parit vazhdimin e gjërave. Është një bindje e vetëdijshme që një e ardhme ekziston, një ku diçka e tmerrshme mund të ndodhë, që në fund të fundit mund te jetë e vërtetë. Kështu merkosja është një formë ironike shprese.”

Dhe më ironike është të mendosh për natyrshmërinë e kësaj gjendje, duke parë zhvillimet socio-politike që vazhdojnë të ripërsërisin veten me ngulm në mundësitë dhe pamundësitë e tyre. Sipas Sartrit realiteti i njeriut është i paplotë, i drejtëpeshuar në mënyrë të pasigurtë ndërmjet mbylljes së të shkuarës dhe hapjes drejt të ardhmes.

“…çdo njeri përcaktohet negativisht nga shuma totale e mundësive që janë të pamundura për të, domethënë një e ardhme pak a shumë e bllokuar”.

Puna e sotme që mund të lihet për nesër, nesër do të mbetet e njëjtë ashtu siç do të mbetet dhe ditën pas të nesërmes e kështu në pafundësi. Mundet, pra, që përgjigja për të ardhmen të gjendet tek e shkuara. Siç thotë dhe Marcuse:

“…orientimi në të kaluarën synon drejt një orientimi në të ardhmen. Recherche du temps perdu bëhet mjeti i çlirimit të ardhshëm”.

Vazhdon të jetë e vështirë për t’ju përgjigjur pyetjeve të ngritura më lart. Sepse në fund të fundit janë pyetje që kanë lidhje me trauma kolektive dhe individuale, trauma që përsëriten por nuk kujtohet. Kujtesa e tyre do të na lidhte me të vertetat që na përfaqësojnë e për rrjedhojë do të na shpiente në ardhmëri. Nuk mundet të ketë maturim, mirëqënie dhe ardhmëri pa kujtesë, pa vajtim dhe proces zije, pa punë dhe vullnet.

Pin It on Pinterest