Pikturë e Sydney Long

 

Ndija e dijes për ndijën
Në skajin e tejmë të skajit
Mugët e ka bojën
Mes nesh, meje, teje, atyre

Gjysmëhije e feksur me laps plumbi
Secili hedh portrete
Dhe shton kalimthi një retiçencë
A se nuk di, a se është i lënduar

Ndija e dijes për ndijën
Nuk është pikë për pikë ashtu
Veç e ka një ogur të mirë
Se mund të gjendemi afer

Me ndi jo me gjuhë
Me ndi me asht
Por dhe kur ndijmë pyesim
që të shpëtohemi prej fjalëve

Ç’gjuhë flet
Kur fjalët end
Kërkon të shpërqëndrosh ndër shkëputje
Tjerrje, numërime

Por vazin e ke n’kumt t’plagës
E t’qumështit
E t’fjalëve t’tilla prej kohësh të papërdorura
Opt, si opti vetë

I çeli opti
I humbi opti
t’u çel fytyra, çehrja
Sa gjatë mund të vështrosh dikë në sy

Blusmerald
bojë opali bojë thekre
Bojë tërfili
Kur fryn fryn fryn

Mes nesh flitet
Për ndijën e dijes për ndijën
Për lidhjet e lira të psikës
Tek përcjellin reminishencat e femijërisë.

 

Pin It on Pinterest