Ndërkohë që jeta në Shqipëri bëhet gjithnjë e më tranzitore, dyshuese dhe sfiduese hapësirat për një shërbim psikoterapeutik në Tiranë janë në disponim të kujdo që ka nevojë a dëshirë. Por shumëkush mund të pyesë: Përse ta mendoj fillimin e psikoterapisë? Prej ku dhe si ta marr vendimin për të lënë një takim me një psikoterapist apo psikoterpiste, e me vonë të nisem për në zyrën e tij apo të saj.

Secili prej nesh e vendos veten përballë qëllimesh të ndryshme, si fillim me natyrë personale e me vonë shoqërore. Arritjet që dukshëm ngjajnë si të jashtme gjithmonë kanë shtysa të brendshme. Pikërisht këto qëllime janë një faktor lëvizës për përjetimet, kënaqësinë, përballjen me vështirësitë, forcën dhe përparimin tonë.

Puna psikoterapeutike ngre synime të kësaj natyre. Sipas psikoterapistes Nancy McWilliams, kur një person kërkon terapi shpesh gjendet në vështirësi që në dukje shfaqjen si simptoma. Pritshmëria e parë ndaj procesit është zhdukja ose zbutja e tyre. Kjo realizohet përmes depërtimit në dinamikat tona të brendshme (i njohur ndryshe si insajt).

Po ashtu, përmbledh ajo, synohet rritja e ndjesisë së veprimit, forcimi i identitetit, rritja e vetëvleresimit, aftësimi për të njohur emocionet, përmirësimi i fuqisë së egos, zgjerim i zotësisë për të dashuruar, për të punuar, për tu mbështeturit te tjetri. Synohet gjithashtu rritja e përjetimit të kënaqësisë dhe paqes.

“Psikoterapistët shpesh kanë vërejtur se njerëzit pasi e fillojnë këtë proçes duan të qëndrojnë më gjatë në të, sepse tashmë si pacienti ashtu dhe terapisti i zgjerojnë qëllimet dhe synojnë të shkojnë përtej heqjes thjesht të disa shqetësimeve specifike.”

 

The Dream – Odilon Redon 

Proçesi psikoterapeutik ka të bëjë me zotërimin. “Që ta kuptosh dicka do të thotë ta zotërosh atë” vazhdon më tej McWilliams. Aha!-ja çliron secilin prej nesh. Gjatë rrëfimit tonë ne priremi të ndalemi në detaje, për të shpjeguar vendosjen në kohë dhe hapësirë të ngjarjes pa ndaluar në vetvete tek tregimi per se i cili merr pjesë gjatë ndërveprimit. Ndaj, sipas McWilliams, në këtë proces e verteta është narrative më shumë sesa historike. E vërteta të jep liri. Liria për të cilën kemi nevojë së pari është liria e brendshme, e cila do t’i mundësonte sicilit prej nesh të bëhet zot i punës së tij.    

Qenia njerëzore e ka të vështirë të ndalojë në botën së tij të brendshme. Qëndresa që ne i bëjmë zbulimit, thënë ndryshe rezistenca e shumënjohur prej Freud, ka një ndikim madhor. Freud na tregon se ne mbajmë një lloj distance ndaj gjerave që shtypim në errësirën e pavetëdijes sonë. Dhe gjatë takimit me psikoterapistin, pacientit i kërkohet t’i prodhojë këto pjesë të shtypura nëpërmjet mendimeve të lira që i vijnë aty për aty. Ai nxitet që të mos ndikohet nga vetëkontrolli apo vetëkritika. Sipas tij, nga kjo tjerrje e fijeve të të menduarit, përsëri e përseri, do të ketë pengesa, por kjo do të bëjë të mundur kuptimin e përsëritjeve tona.

Mësimi i rëndësishëm që na jep Frojdi është t’i japim fjalë asaj që është vështirë t’i japësh fjalë dhe përkthimi i gjesteve të trupit (simptomave, etj.) në gjuhë. Gjatë analizës në terapi interpretohet. Shpesh të interpretojmë tjetrin është tepër e lehtë e interpretimi i vetes një mit sizifi. Të kuptojmë vetëveten nuk është aspak e thjeshtë. Ç’ka ka të njëjtin kuptim për tjetrin nuk është njëlloj për veten në momentin që na duhet të bëjmë diçka për të. Pra, duhet një sy i jashtëm për të interpretuar, një Tjetër domethënës. Rëndësi domethënëse ka marrëdhënia, është ajo që ndodh mes pacientit dhe terapistit. Frojdi na tregon:

“Mjeku luan rolin e të jashtëmit efektiv; ai ushtron ndikimin që një njeri mund ushtrojë mbi një tjetër. Le të themi se mjeku, në punën e tij edukative, përdor një nga komponentët e dashurisë. Krah për krah me nevojat e jetës, dashuria është edukatori më i mirë”.

Përtej frazave te tilla: Nuk jam aq rëndë sa të takoj një psikoterapist, nuk kam nevojë, nuk jam psikotik etj, shpesh thelbi i cështjes është me i thjeshtë se kaq. Kenaqësia. Të gjithë duam të kemi një jetë të kënaqshme. Të shijojmë punen tonë, marrëdhëniet tona më të afërta, të shijojmë veten tonë. Dhe përtej frikës ndaj të panjohurës që shkakton psikoterapia, e bukura është se ajo është parë dhe si një zonë loje dhe kreativiteti. Psikoterapisti Winnicott tregon se:

“Psikoterapia ndodh në mbivendosjen e dy zonave të lojës, atë të pacientit dhe atë të terapistit…, Arsyeja pse loja shikohet si thelbësore është pasi pikërisht gjatë lojës pacienti është krijues.”

Sipas tij, punë e psikoterapistëve, në mënyrë që të ndihmojnë pacientët, është se ata duhet të dinë për krijimtarinë në vetvete. Sipas Adam Phillips psikoterapia psikoanalitike të jep ndjesinë e përfshirjes në art dhe qëllimi i saj nuk është të kurojë njerëzit por tu tregojë atyre se nuk ka asnjë gjë që nuk shkon me ta.

 

Pin It on Pinterest