Egon Schiele

Muajt e fundit dhe ato që priten të vijnë, zënë vend në fantazinë tonë si një periudhë sureale dhe e panjohur më parë. Lëvizja e njerëzve është reduktuar nga të qënit aktiv në qytet në të qënit aktiv brenda qytetit por larg tij, përkatësisht mbyllur në shtëpi. Po mësohemi me idene e kujdesit në një formë të panjohur. Tjetri është kthyer sa në persekutues aq dhe në bashkëpuntor. Po brendësojmë idene e distances, përgjegjësisë por dhe të pasigurisë. Gjithkush duke personalizuar secilën prej tyre. 

Diçka që të lë përshtypje është mënyra se si njerezit kanë zënë vend në këtë realitet të ri: qëndrimi në shtëpi, mënyra se si ata po “projektojnë” në murin virtual aktivitete e tyre. Kush kërkon të shfaqet më kreativ se një tjetër, kush ushqehet, mbështet socialisht, vlerëson, beson ekspertin dhe përkujdesësin, shpreh emocionet dhe paranojën. Nuk mund të mos dallohet njëlloj euforie në kahun tjetër të pasigurisë, frikës dhe habisë për rrjedhën e re të jetës.

E gjitha kjo më çon në një reflektim për kohën dhe hapësirën (Viti 2020!). Nuk dua të merrem gjatë me kohën pasi e shikoj atë të lidhur me natyrën religjoze të termit. E kjo do të më hapte shumë punë për një shkrim relativisht të shkurtër si ky. Por nuk mund të mos ndaloj dhe të shkëpus çfarë Tarkovsky shkruan për kohën:

“Koha kur një person jeton, i jep atij mundësinë e njohjes së vetes si qënie morale, të përkushtuar në kërkim të vërtetës. Por sado, kjo dhunti është njëherësh e këndshme dhe e hidhur. Jeta nuk është as më shumë e as më pak se sa periudha e caktuar për të dhe në të cilën ai duhët t’i japë formë shpirtit të tij në përputhje me të kuptuarit që ka për qëllimin e ekzistences njerëzore.”

Paraqitja e kohës në filmat dhe shkrimet e Tarkovskyt të lë gjurmë dhe të vendos përballë llogaridhënies mbi veten. Ai e shpreh qartë interesin dhe botëkuptimit e tij për kohën të lidhur me cilësitë e brenshme dhe morale të saj.

Hapësira nga ana tjetër më duket kryefjala e virusit sot. Një virus që shpërhapet në hapsirë dhe kërkon të parandalohet në mënyrë shkencore po nëpërmjet saj. Individi në këtë periudhë është spostur nga hapësira e gjerë sociale në hapsirën e ngushte familjare apo individuale. 

Këtu është me vend të pyesim: “Çfarë e bën dikë ta trajtojë hapsirën që ka në dispozicion në mënyrën që e trajton; me kufizimet dhe potencialin që sheh për të realizuar veten apo produktin e punës së tij? Në cilën pikë ndahemi dhe në cilën takohemi më njëri-tjetrin në mënyrën si punojmë apo krijojmë në këto kushte? Kush janë të pavarurit dhe të lirët?

Ajo që dihet është se secili ka një marrëdhënia të ndyshme me hapsirën e kufizuar në kohën e karantinës. Le të bëjmë një psikanalizë të kësaj marrëdhënie: Psikanalisti anglez Winnicott na tregon se në vitet e para të jetës, vjen një moment kur foshnja fillon ta dallojë vetën nga nëna. Ai fillon të kuptojë se ata nuk janë më të shkrirë me njëri-tjetrin, pra ai dhe nëna janë qenie të ndara. Në këtë ndryshimi madhor në botën e fëmijës, shumë e rëndësishme sipas Winnicott është ajo që ai e quan hapsirë potenciale

Hapësira potenciale është zona ndërmjet foshnjës dhe nënës, hapësira ku zë vend loja dhe imagjinata kreativite. Fëmija luan me veten e tij, krijon në fantazi por në të njëjtën kohë është i varur nga nëna. E gjitha kjo mbështetet në besimin që ai ka tek ajo.

“Hapira potenciale ndryshon dukshëm nga njëri individ në tjetrin, dhe themeli i saj është besimi i foshnjës tek nëna, e përjetuar gjatë periudhes kritike të ndarjes së jo-unë nga unë, kur krijimi i një vetje autonome është në fazën fillestare.”

Kjo hapësirë formohet kur foshnja mirë-beson sigurinë e nënës ose te ambientit përreth. Në këtë moment mund të ndodhë dallimi ndërmjet njërës foshnje me tjetrën. Sipas Winnicott nëse fëmija nuk arrin besueshmërinë, ai humb zonën ku mund të luaj dhe simbolet që shfaqen aty. Pra, fëmija është i pasigurtë dhe nuk krijon. Në të kundërt, me fat është fëmija që ka rrethana të favorshme. Ai arrin të mbushë hapsirën me produktet e imagjinatës së tij krijuese.

Hapësira në dispozicion sot, na kthen bash në mënyrën individuale të përdorimit të saj. Do të jetë ky një çast qetësie apo jo, kjo varion. Më së shumti është preferuar të paraqitet e para. Sot, shumë psikoterapistë po shprehen që pacientet e tyre, (p.sh. ato me simptoma obsesiv-kompulsive, paranoide, skizoide etj.) po përjetojnë një kohë miratimi të frikrave të tyre. Duket sikur ato po jetojnë simptomat e tyre. Askush nuk mund të thotë se ata po i druhen dukurive jo-reale.

Ka të ngjarë që mënyra e shfrytëzimit të dhomës, shtëpisë, ballkonit tonë të jetë përcaktuar prej kohësh nga eksperiencat në fëmijëri. Atëhere përdorimi i hapsirës karakterizohej nga fantazia krijuese dhe loja (fëmija luan dhe fantazon drejtimin e orkestres së tij.)  Arti është njëra nga mënyrat e shprehjes këto kohë izolimi. Ai varion nga shfaqet individuale në ballkone, deri te brohoritjet kolektive.

Por mbetemi shume larg parajsës. Secilit i duhet të luftojë kimerën e tij. Çdokush duhet të përballet me reflektimin e vetes në pasyrë. Lacani do ta përshkuante këtë si përballjen me imazhin i cili ka qenë konfuzionin fillestar mes vetes dhe tjetrit. 

Përpjekja për t’ju përgjigjur pyetjeve të mësipërme na çojnë në një pyetje pak më ndihmuese: Si mund të shkojmë tek eksperienca përgjegjëse për ripërtëritjen e besimin (trust)? Mendoj se në fund, nëse duam të ri-bëjmë veten do na duhet të zëvendësojmë një strukturë me një tjetër. Ata që nuk kanë arritur një besimin fillestar duhet të kthehen pas në kohë (dhe hapsirë) për të përjetuar ndarjen, pa ndarje. Duhet të shkojnë pikërisht aty ku zë vend loja dhe kreativiteti i fëmijës brenda, me pas ta rishfaqin atë aty ku është kultura dhe puna si i rritur. 

“Hapësira potenciale midis foshnjës dhe nënës, midis fëmijës dhe familjes, midis individit dhe shoqërisë apo botës, varet nga përvoja e cila çon në besim. Shikohet si e shenjtë për individin sepse pikërisht këtu ai përjeton një jetë krijuese,” – na thotë Winnicott.

Natyra intime e kufizimeve, që solli shfaqja e një virusi, i ka vendosur individët e shoqërisë në njëlloj bluarje të vetes. Po shfaqet një prirje për reflektim. Ai që ka sukses me siguri do të mund ta ri-porosisë veten. 

 

Pin It on Pinterest