Në parathënien e librit të tij Promises, Promises: Essays on Psychoanalysis and Literature Adam Phillips sjell një krahasim kurjoz rreth dy tipologjive të njerëzve që shkojnë në terapi. Ky libër i përbërë me esse që ndërlidhin psikanalizën dhe letërsinë është tmerrësisht i bukur dhe plot depërtim. E kam gjetur veten në mënyrën se si ky autor, e thur punën e tij si terapist me të shkruarin. Jam identifikuar me rrugën e tij drejt psikanalizës, në fillim përmes letërsisë e më pas me shkrimet psikanalitike.
Ai ja dedikon këtë libër dy mësuesve të tij të letërsisë, në shkollë dhe universitet. Phillips shprehet se ata i kanë mësuar atij psikanalizën, pa ja përmendur fare atë, më shumë se sa ata që i kanë mësuar vetë psikanalizën. Ai e mbyll parathënin me këtë fjali:

“Duke më mësuar të lexoj ato më treguan se si të dëgjoj.”

Siç dhe e parashtrova në fillim, Phillips përshkruan dhe krahason dy tipologji njerëzish dhe qëndrimin e secilit prej tyre në terapi. Ai i emërton ato si Ëndërrimtari dhe Pragmatisti.

Personat që kërkojnë terapi, më së shumti gjenden në një vështirësi që i pengon të jetojnë një jetë të qetë e të kënaqshme. Këto dy terma mbase do i dukeshin tepër larg asaj që ata mendojnë për veten dhe procesin e tyre terapeutik. Por të ulurit në divan në dhomën e terapisë, kur bëhet në formën e duhur, kthehet në një përjetim kaq ndryshe dhe kuptimplotë të vetes.

Në rrugën e formimit tim si psikanaliste, më kujtohet se si një trajnues solli një metaforë zbavitëse për procesin terapeutik: Puna me pacientët thotë ai është sikur të bësh një focaccia. Do të duhet të pregatisësh përbëresit dhe duke rrahur brumin; shpjegon ai ndërkohë që leviz duart  në një mënyrë estetike dhe të zhdërvjellët, e shpalos atë sa nga një anë në tjetren, sikur të kalosh sa nga e shkuara, sa nga e ardhmja për tu rikthyer në të tashmen.

Focaccia e profesorit me kujton vazhdimisht se si ne si njerëz e kemi një përbërje, kemi mjellin tonë, kripën, erzat dhe vajin tonë. Po aq mbajmë mbi vete të gjithë ato lëvizje, formësime dhe trazime në kohë. Të zbulosh e të zhvillosh veten shkon përtej një procesi në dukje “për tu marrë me semundjen tënde”. Por dhe mënyra se si shihet ky proces, në vetvete, tregon shumë për personin që i futet analizës. Phillips shkruan:

“Ka një kontrast midis Ëndërrimtarit dhe Pragmatistit: Ëndërrimtari dëshiron vetëm të bëjë asosacione të lira dhe të ndjekë fjalët e tij kudo që të shkojë; ndërsa Pragmatisti dëshiron të zgjidhë problemet e tij. Pragmatisti dëshiron të ketë arrije, ëndërrimtari dëshiron t’i përjetojë ato; ëndërrimtari dëshiron që analisti ta ndihmojë atë të kthehet në delirin e tij, pragmatisti dëshiron që analisti ta ndihmojë atë të kuptojë veten. Pragmatisti dëshiron të dijë se çfarë të bëjë, ëndërruesi dëshiron të shohë se çfarë ndodh.”

Dhe pse të ndryshme, këto dy lloj qasjesh, po as sa dhe të tjera kombinime pa fund, kanë gjithmonë nevojë të gjejnë një hapsirë ku të shpalosen dhe të jetojnë. Kjo mund të jetë terapia, letërsia, mardheniet, profesioni etj. Por për sa thotë dhe Phillips, si psikanaliza apo letërisa,

“mund të na frymëzojnë të jetojmë një jetë më të këndshme, më kurjoze moralisht, si ëndërrimtarë dhe pragmatistë kompleksë.”

 

Rreth parathënies së librit "Promises, Promises: Essays on Psychoanalysis 
and Literature" Adam Phillips

 

Pin It on Pinterest