Gjatë bisedave të përditshme, ankthi sa vjen dhe është një përshkrues i shpeshtë i afektit të shumë njerëzve. Përshkrimet e përjetimeve përfshijnë: kam ankth, më merret fryma, më duket sikur do më bie të fikët, më rreh zemra fort ose; kam frikë, kam mendime shumë të këqija, dua ta largoj, si ta largoj, pse e kam, paniku është gjëja më e rëndë dhe e vështirë që kam përjetuar ndonjëherë etj. Këto janë disa shfaqje të ankthit që shkojnë bashkë më nevojën urgjente për ta larguar sa më parë.  

Kjo kërkesë sa është e kuptueshme aq dhe e pamundur bëhet prej presionit karakteristik të tij. Askush nuk mund të mbysë një zë që fillesën e ka thellë brenda vetes për të përfunduar në shfaqje trupore dhe mendime të pashmangshme. Me anë të këtij shkrimi do të ndalem për të kuptuar një hap më tej ankthin. Çështja e ankthit mbetet çështje e pavetëdijes, ashtu sikurse çdo çështje tjetër e lidhur me botën tonë të brendshme. Pra, ankthi është çështje e ideve dhe ndjenjave që vetja ia fsheh vetvetes për disa arsye.

Në fakt simptomat e numëruara më lart vijnë si formë “mbrojtëse” ndaj një ankthi edhe më të fortë. Nëse dikush thotë se i merret fryma dhe i duket sikur do t’i bie të fikët është sepse brenda tij troket diçka dhe me tmerruese për përballje. Shumëkush mund të thotë: Po atëhere ç’më duhet të di për këto tmerre, nuk dua të mendoj, dua vetem të më largohet. E shumëkush mund të thotë: dua ta di pse e kam. Në thelb në të dyja rastet kemi të bëjë me kureshtjen ndaj vetes, me kurajon për t’u përballur me frikën racionale dhe irracionale apo momentet e dhimbshme, për t’i tejkaluar më pas ato. I pari mund të stermundohet ndër ilace e i dyti mundet të përdorë fjalën dhe mardhënien më një psikoterapist. Vetëm për vetëm çlirimi arrihet me vështirësi, pasi gjithsesi, në thelb kjo vete e ka gjetur një mënyrë zgjidhje: simptomat shqetësuese. 

Me të drejtë dikush që përjeton ankth, prej natyres së pakuptueshme dhe të paqartë të tij, do të frikësohej dhe tmerrohej. Për t’ja nisur me pak dritë: Freud na thotë se ekziston një lidhje mes asaj që quhet inhibim (ndryshe ndalim, moslejim, pengim) dhe ankthit. Inhibimi është shfaqja e një kufizimi ndaj pjesës së vetës e cila merr vendime të vetëdijshme, të kënaqshme por socialisht të pranueshme. Pra, ankthit zë vend në këtë pjesë të vetes dhe si vend kufitar ka fiziologjinë tonë (ku ndodh vështirësia e frymëmarrjes, rrahjet e shpeshta të zemrës, marramendjamendja etj.) 

Ankthi ka të bejë më një konflikt të brendshme që ndodh mes a) vetes tonë që kërkon kënaqësi dhe b) asaj që është më kontrolluese dhe moslejuese (ajo pjese që ka lidhje me kërkesat sociale, morale, asaj që pritet prej nesh etj.) Ndryshe le ta mendojmë kështu: një pjesë e vetes që thotë “Dua ta bëj këtë veprim sepse më kenaq” dhe asaj që thotë “Do të ndëshkohesh nësë kënaqësh në atë mënyrë“. Secili ka mënyrën e tij të përjetimit të kënaqësisë dhe për rrjedhojë ankthi lind prej përvojave të hershme të saj dhe ndalesave të heshme po ashtu. Këtu, secili, me të kaluarën e tij karakteristike, mund të ndalojë që të kujtojë “mos-et” dhe ndëshkimet e hershme kërcënuese. (P.sh. një djalë i vogël i cili kërcënohet me kastrim të penisit të tij pasi ai po merr kënaqësi duke u prekur.) Pra, konflikti që ndodh në të tashmen është i lidhur në mënyrë të pavetëdijshme me të kaluarën dhe konfliktet e paraqitura në atë kohë. 

Ankthi është reagimi ndaj një situate rreziku. Me anë të simptomave ka një përpjekje për t’ju shmangur një situate të tillë ose largimi prej saj.  Pra kur themi se ankthi është një reagim ndaj rrezikut, flasim për një rrezik me së shumti irracional që vjen nga brenda nesh, siç mund të jetë rreziku i ndëshkimit që është përballur fëmija i përmendur më lart. Nëse për këtë fëmijë, aktiviteti seksual sot në moshë madhore është i lejuar mundet që dëshira për kënaqësi, për shkak të një pengese, të terheqë po ashtu frikën nga ndëshkimi i përjetuar në fëmijëri. Për rrjedhojë kjo mund të krijojnë një ndjesi frike dhe ankthi. 

Ky është veç një shembull, me gjasë i pamjaftueshëm, por secili prej nesh ka pavetëdijën dhe konfliktet e tij. Një shpjegim i tillë teorik i ankthin, apo edhe informacione të tjera rreth tij, nuk mjaftojnë për ta shëruar atë, pasi ky është një infomacion i përgjithshëm dhe aspak i lidhur me ngjarjet, kujtimet, mendimet, ndjenjat që gjenden brenda secilit në mënyrë të personalizuar. Prandaj vjen në ndihmë terapia e të folurit dhe marrëdhënia me një terapist, duke krijuar një botë tjetër ku secili do të ndjehet më pak vetëm përballë frikës dhe ankthit, dhe do të dalë nga aty më i fortë për të qëndruar vetëm me veten.

 

 

 

Pin It on Pinterest