Louise Bourgeois. Eccentric Growth I

Luce Irigaray është psikanaliste, feministe dhe filozofe franceze.  Për herë të parë e kam përfshirë teorinë e saj në një ligjëratë timen mbi gruan dhe marrëdhënien e saj me veten dhe familjen. Aty shtjellova ilustrimin e saj mitologjik i cili përshkruan marrëdhenien nënë-vajzë bazuar në mitin e Demetrës, perëndeshës së Tokes dhe vajzës se saj Persefona.

Një vepër e rëndësishme e saj është “Ce Sexe qui n’en est pas un” (Ky Seks i cili nuk është Një). Esetë e saj në këtë libër sfidojnë idetë mbizotëruese të dallimeve seksuale dhe pikëpamjen tradicionale të seksualitetit femëror si një mungesë ose mungesë e seksualitetit mashkullor. Irigaray argumenton se gratë janë përcaktuar historikisht në raport me burrat dhe se kjo ka çuar në shtypjen e përvojës seksuale femërore. Ajo argumenton se gratë janë heshtur dhe përjashtuar nga diskursi i filozofisë dhe shkencës, dhe se përvoja e tyre e seksualitetit është injoruar ose hedhur poshtë si inferiore.

Irigaray në këtë libër nuk përkushtohet për t’i dhënë kuptim dallimeve seksuale por merret me mënyrën se si kultura dhe gjuha si prodhim i kulturës e kupton dallimin seksual. Psikanalistë të ndryshëm kanë folur për seksuatiletin femëror duke u përpjekur ta kuptojnë atë. Irigaray përmend disa psikanalistë duke i shpjeguar dhe kritikuar.

Ajo e nis sigurisht me Sigmund Freud. Freud e ka cilësuar seksualitetin femëror si “Kontinenti i Errët”. Nën analizën e Irigaray ai ka mbetur tek pohimi që libido është doemos mashkullore, dhe se në rastin e feminilitetit, lipido e vendos veten në shërbim të “qëllimeve pasive”. Ajo shprehet se pavarsisht së Freud në momente të caktuara modifikon disa teori të hershme ai përsëri neglizhon analizën e faktorëve socio-ekonomike dhe kulturorë që drejtojnë zhvillimin seksual të grave.

Terminologjitë e para të paraqitura për të përshkruar aspekte të seksualitetit femëror janë: zilia e penisit, specifika të kompleksit të kastrimit, dëshira për të patur një fëmijë mashkull, frigiditeti, mazokizmi, histeria etj. Këndvështrimi rreth këtyre aspekteve fillon të ndryshojë me punën e grave psikanaliste, dhe pse e pashmangshme të qënit jashtë një psikanalize të lindur në kushtet e një sistemi të njohur.

Për shembull, Melanie Klein dhe Karen Horney tentuan ta çonin analizën përtej tezave të Frojdit. Ato përfshinë me këmbengulje faktorët socio-kulturorë. Melanie Klein shprehet se “zilia e penisit është një formim i reagimit dytësor që kompenson vështirësinë që gruaja përjetojnë për të mbajtur dëshirën e vet.”

Për të cituar Irigaray: “Në këtë këndvështrim të ri, “zilia e penisit” nuk është më e përshkruar si “natyrë” femërore, një korrelacion i një “defekti anatomik”. Përkundrazi, ajo duhet të interpretohet si një simptomë mbrojtëse që mbron gruan nga gjendja politike, ekonomike, sociale dhe kulturore e saj që në të njëjtën kohë e pengon atë të kontribuojë efektivisht në transformimin e këtij fatit të paracaktuar. “Zilia e penisit” përkthehen pakënaqësinë dhe xhelozinë e gruas që është privuar nga avantazhet, veçanërisht avantazhet e seksit, të rezervuara vetëm për burrat: “autonomi”, “liri”, “pushtet” e kështu me radhë.”

 

Orvatja e gruas drejt kënaqësisë

Një nga gjerat më të trishta që mund të has në punën time me gra dhe vajza, është prania e vazhdueshme e pengesave mes vetes së tyre dhe kënaqësisë (kënaqësisë në përgjithësi por dhe asaj seksuale). Është e zakonshme të dëgjosh për gra që e kanë të vështirë të arrijnë orgazmën, që e kanë të vështirë të shprehin se çfarë ju pëlqen, të marrin atë që duan, për gra që janë të pasigurta për seksualitetin në përgjithësi, të pakuptuara nga partnerët, gra të gjenduara në një vend të humbur me veten dhe tjetrin. Dhe një nga gjerat më të hareshme mbetet kur degjon për të kundërtën.

Kjo ngre vazhdimisht pyetje rreth kuptimit dhe punës në këtë dimension. Irigaray shkruan:
“Kënaqësia femërore duhet kërkuar “tjetërkund” në një vend që mbart ekstazi në transhdentale. Ajo duhet të rrijë e paartikular në gjuhë, nëse nuk do të kërcënohet nga bazat e opreacioneve logjike. Dhe kështu ajo që ju ndalohet me ashpërsi grave sot është që ato të “përpiqen t’i orvaten kënaqësisë së tyre.”

Irigaray thotë se çështja nuk ka të bëjë me përpunimin e një teorie të re por në bllokimin e vetë makinerisë teorike, të pezullimit të pretendimit të saj për prodhimin e një të vërtete. Që presupozon që gratë nuk aspirojnë thjesht të jenë të barabarta me burrat në dije.
“Inferioriteti social i gruas përforcohet dhe ndërlikohet nga fakti se gruaja nuk ka akses në gjuhë, përveçse nëpërmjet përdorimit të sistemeve “mashkullore” të përfaqësimit që nuk i përshtaten raportit të saj me veten dhe me gratë e tjera.” Ky është një reflektim që personalisht ma bën sfiduese punën si grua psikanalise.

Është e njohur ajo që tashmë ka marrë (do të thoja) fomën e një batute sidomos kur atë e shpreh një burrë, që “hajde merre vesh se çfarë do në të vertetë një grua”. Mesazhi i saj është i pakapshëm dhe tepër shpërqëndrues, jo si një gjuhë tjeter por si një “gjuhë e folur keq” prej faktit mbase që vetë ajo nuk e di se çfarë do. Mbase po flasim për një gjuhë-vend tjetër, me një natyrë po tjetër nga ajo e njohur prej “mashkullores”.

Duke u bazuar në perceptimin e këtij shpërqëndrimi dhe paqëndrueshmërie Irigaray jep shembullin e mekanikës së Lëngjeve, ku argumenton se vetë shkenca është e njëanshme ndaj kategorive që zakonisht personifikohen si mashkullore (p.sh. trupat e ngurtë në krahasim me lëngjet). “Fluidet brenda/jashtë ligjërimit filozofik – janë nga natyra, të paqëndrueshëm nëse nuk i nënshtrohet gjeometrisë, apo idealizohen.” Irigaray e krahaso gjendjen e gruas me gjendjen e fluidit (lengut).
Një përshkrim i bukur i kësaj në libër është:

“Gruaja nuk flet kurrë në të njëjtën mënyrë. Ajo ç’ka ajo emëton është e luhatshme. E turbullt. Dhe ajo nuk dëgjohet, veç nëse kuptimi (kuptimi i së duhurës) humbet. Prej ku rrjedh rezistenca ndaj zërit që përmbyt “subjektin”. Ku “subjekti” më pas e ngjesh, e ngrin në kategoritë e saj derisa e paralizon zërin të rrjedhë.

 

“Dhe ja ku e keni, zotërinj, prandaj vajzat tuaja janë memece, gojëkycur, të trasha, të heshtura, budallaqe.” Edhe nëse flasin, duke u shumuar pitikisht në vepra që nënkuptojnë vetëm afazinë e tyre, ose pjesën e poshtme mimetike të dëshirës suaj. Dhe, t’i interpretosh ato aty ku shfaqin vetëm memecërinë e tyre do të thotë t’i nënshtrosh ato ndaj një gjuhe që i internon në një distancë gjithnjë e më të madhe nga ajo që ndoshta do të të kishin thënë. Sikur veshët tuaj të mos ishin aq pa formë, aq të bllokuar nga kuptimi(et), të mbyllura ndaj asaj që, në një farë mënyre, nuk i bën jehonë asaj që keni dëgjuar tashmë.”

Kur lexon Irigaray duket sikur je në një dimension tjetër kuptimi, të paktën si grua, apo si njeri që kupton se një vend i mirë fillese është aty ku ngrihen pikëpyetje për atë që është e njohur, e pranuar dhe e marrë si e mirëqenë.

Duke folur për veprën e saj ajo thotë se po përpiqet të kthehet pas nëpër imagjinaren mashkullore, të interpretojë mënyrën se si ajo na ka reduktuar në heshtje, në memeceri ose në mimikri, dhe në të njëjtën kohë, për të (ri)zbuluar një hapësirë të mundshme për imagjinaren femërore.”

Për ta përmbyllur, mund të themi se seksualiteti i grave karakterizohet nga një shumëllojshmëri kënaqësie dhe jo nga një formë e vetme, falike e kënaqësisë.
Irigaray argumenton se seksualiteti i grave nuk mund të kuptohet në termat e seksualitetit mashkullor dhe se nuk është një çështje e thjeshtë anatomie apo biologjike. Në vend të kësaj, ajo sugjeron se seksualiteti i grave është i lidhur me marrëdhëniet e tyre me trupin e tyre, ndjenjën e tyre për veten dhe lidhjen e tyre me gratë e tjera. Ajo e përmbyll ajo librin duke thënë:

“Ne kemi arritur të harrojmë ndjesinë e lëkurës sonë.”

 

Pin It on Pinterest