Pamja e rrëzimi të ndërtesës së Teatrit Kombëtar preku secilin prej nesh, vetëdijen tonë personale e kolektive, por më së shumti mesiguri ka ndalur me peshë në pavetëdije. Aq më tepër kjo “prekje” delikate e përdhunshme ndjehet nga hapësira e mbetur bosh në qendër të Tiranës, ku qysh prej datës 17 Maj shfaqet një mungesë. Një formë varrimi, humbje, trishtimi.
Teatri Kombëtar u shemb që “të ndërtohet një tjetër fringo” në formën e një papioni.
Varrosja e të vjetrës për të ngritur një objekt-trup të ri, duket si një simbolikë e dëshirës për të kryer një vrasje. Një vrasje që mbështetet me argumenta sa zhvlerësues dhe mohues për godinën e vjetër aq dhe idealizues për të renë. Kështu, vjen me forcë simbolika e një godinë të cilën mund të cilësohej si një trup, si një përfaqësim i një vetje kolektive, kombëtare, historike.
Vetë historia e godinës tregon kaq shumë për historinë e vendit, me ndërtimin e saj nga një arkitekt i huaj, përdorimet e tij në bazë interesash politike-sociale të kohëve të ndryshme duke u vendosur në 1945 si Popullor e në fund si Teatër Kombëtar. Por ndryshimi i fundit i tij, siç duket, do të ishte varrosja e tij për së gjalli. Tash ai na vështron me vështrimin e tij arkeologjik të yshtur.
Po sjell këtu Sartrin, i cili thotë:
“… trupi im fillimisht tregohet nga komplekset e dobishme dhe së dyti nga pajisjet shkatërruese…Trupi im është kudo: bomba që shkatërron shtëpinë time gjithashtu dëmton trupin tim për aq sa shtëpia ishte tanimë një tregues i trupit tim.”
Realiteti ynë, me shkatërrimet e vazhdueshme të qytetit (shtetit!), duket sikur përsërit të njëjtën ëndërr. Kjo pasi dhe NDËRTIMI është një proces aq agresiv. Psikanaliza, përgjithësisht, ëndërrimin e ndërtesave apo shtëpive e sheh si një simbolikë të vetes. Teatri është një trup që përfaqëson një vete ashtu siç është, siç ka qenë, siç do të vazhdonte të ishte. Akti i 17 Majit nga kahu tjetër përfaqëson një vete në orvatje. (Një vete të rremë!). Një akt i tillë ka natyrë narciste.
Një koncept që shpesh i është mveshur narcistit është ajo e një vetje të rremë. Prishja e të vjetrës, arkivimi i saj, për të ndërtuar pamje të stërgjata apo të stërgjera, si zëvendesuese të denja, që do të mund të fitonin adhurimin, pëlqimin e të tjereve. Sidomos të tjetrit domethënës. Vetja e një narcisti ka, pra, njëlloj ndjesie jovërtetësie, përlyer me vanitet, krenari, vetkënaqesi, zili, turp, e do ndjesi të tjera. Shumçka për të mund të jetë ose e fryrë ose e shteruar. Shkurt, një vete e tille do ngrihej gjithmonë mbi të vërteta të paqëndrueshme.
Një strukturë të ngjashme, më çka u tha më lart, ka secili akt për ndryshime në fizikun e qytetit me imazhe në dukje identitare por në thelb boshe. Një brengë e madhe ngjallet prej këtyre ndryshimeve madhore. Një lëmak formohet mes kohëve të veshjes së kryeqytetit. Në kundërshti me qartësinë që po ndodh në vetëdijen e njerëzve është frika e përsëritjes së mosreagimit (ose kudërveprimit të pamjaftueshëm). Maurice Halbwachs në Kujtesa Kolektive shpreht se:
“Ngjarjet e jashtëzakonshme janë të vendosura brenda kornizës hapësinore, sepse ato sjellin në grup një vetëdije më të fortë për të kaluarën dhe të tashmen e saj, lidhjet që e atashojnë atë me vendodhjen fizike fitojnë qartësi më të madhe në momentin e shkatërrimit të tyre. Por një ngjarje me të vërtetë e madhe gjithmonë rezulton në një ndryshim të marrëdhënies mes grupit dhe vendit.”
Pësimi asnjëherë nuk është i njëfishtë a i kapshëm. Sidomos ai i cili ndodh në trekëndëshin vete, grup dhe mjedis rrethues të lidhur me kujtesën kolektive të paraqitur nga Halbwachs. Ai thotë se mjedisi jonë rrethues mban gjurmët tona dhe të të tjerëve.
“Vendi që zë një grup nuk është si një dërrasë e zezë, ku dikush mund të shkruajë dhe fshijë figura sipas dëshirës. Asnjë imazh i një dërrasë të zezë nuk mund të kujtojë atë që ishte shkruar atje dikur. Kësaj dërrase nuk i intereson ajo që është shkruar më parë në të dhe mund të shtohen lirisht pamje të reja. Por vendi dhe grupi kanë marrë secili gjurmët e njëri-tjetrit. Prandaj, çdo fazë e grupit mund të përkthehet në terma hapësinorë dhe vendbanimi i tij është veçse kryqëzimi i të gjitha këtyre termave.”
Pra, me ndyshimet domethënëse në fizikun e një shoqërie vjen dhe çekuilibër i jetës së saj, duke trazuar shpesh pjesën më të qëndrueshme. Për rritjen, mirëqenien emocionale dhe fizike, qëndrushmërinë e vetes, një individi i duhet një kontenieri a enë e qëndrueshme dhe e njohur. Mbi këtë psikologji të vetes në grup dhe mjedis Halbwachs thotë se kur arrihet një periudhë në të cilën ne nuk jemi më në gjendje t’i përfaqësojmë vendet vetes, madje edhe në një mënyrë hutuese, atëherë kemi arritur në atë zonë të të kaluarës sonë e cila është e paarritshme për kujtesën.
Një shoqëri si kjo e jona, e cila ka kaluar shumë trauma dhe shkatërrime, qëndrushmëria e cilësdo formë a natyrë, sado “e cunguar” që të jetë, do të shërbente që të mbrohej një pavetëdije që rrjedh dhe jo që shtypet, do të ndihmonte që të lehtësohej mbijetesa ndjekur nga përparimi. Do të ndihmonte kujtesën, të kujtuarin.